Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje.
Kështu e ka pësuar mbrëmë edhe një familje në Prishtinë, ku persona të panjohur kanë hyrë me forcë brenda shtëpisë së tyre në rrugën ‘Dëshmorët e Ponoshecit’.
Sinjali mëson se pronari i shtëpisë ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se hajnat kanë thyer derën e shtëpisë dhe kanë arritur që të vjedhin stoli ari në vlerë të rreth 10 mijë eurove.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.