Marketet në vendin tonë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë cak i vjedhjeve dhe grabitjeve, ku hajnat arrijnë të kapin para apo gjësende ushqimore. Ndër rastet më të shpeshta kanë ndodhur në pikat e rrjetit të Viva Fresh në shumicën e qyteteve. Përveç humbjeve, plaçkitjet po shkaktojnë pasiguri si për punëtorët ashtu edhe për klientët.
Një ndër këto raste ka ndodhur edhe sot në orët e para të mëngjesit, në pikën e Viva Fresh në fshatin Lluzhan të Podujevës, ku tre persona kanë arritur të kryejnë vjedhje grabitqare dhe të shpëtojnë nga prangat e Policisë.
Sinjali mëson se të dyshuarit kanë“avulluar” cigare dhe pije të ndryshme, që kapin vlerën e rreth 2 mijë eurove dhe fillimisht ishin zbuluar nga një punëtor i sigurimit. Të njëjtin e kanë kanosur me armë dhe më pas kanë arritur të largohen me shpejtësi nga marketi.
Si rezultat i denoncimit të rastit, Policia është aktivizuar dhe ka kryer ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Vjedhje grabitqare” dhe ndërmarrjen e veprimeve hetimore për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve.