Dy të arrestuarit për rastin e rëndë të sulmit seksual që dyshohet se ndodhi në një familje në fshatin Livoç i Poshtëm në Gjilan, kanë dalë para Gjykatës dhe janë përballur me dyshimet e ngritura ndaj tyre.
Vjehrri i dyshuar për sulm seksual ndaj nuses përfundoi në paraburgim, ndërsa ndaj djalit të tij, është caktuar një masë alternative.
Siç merr vesh Sinjali, Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar 1 muaj paraburgim Nesret Bislimit, 51-vjeçar, pasi dyshohet se e ka sulmuar seksual nusen e djalit të tij, në shtëpinë e tyre, në fund të dhjetorit.
Në këtë rast është i përfshirë edhe vet djali, Fatijon Bislimi, 19-vjeçar, nën dyshimet se ka manipuluar me provat që ekzistojnë për këtë rast.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se ndaj tij, gjyqtari i procedurës paraprake ka caktuar masën e ndalimit për t’iu afruar personit në distancë prej 200 metrash.
Bazuar në dëshminë e viktimës, vjehrri i saj 51-vjeçar e ka sulmuar seksualisht.
Fakti që e bën edhe më tronditës këtë rast është se burri i saj 19-vjeçar, ka qenë në dijeni se babai ia ka prekur gruan me qëllime seksuale dhe përveç që nuk e ka raportuar një gjë të tillë, dyshohet se ka manipuluar me provat.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kur vepra penale “Sulmi seksual” kryhet në rrethanat kur viktima është ndërmjet moshës 16 dhe 18 vjeç apo kur kryesi është në marrëdhënie familjare me viktimën, dënohet me burgim prej tre deri në dhjetë vjet.