Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur të shtunën në Facebook vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila ka refuzuar kërkesën e Komunës së Prishtinës për suspendimin e vendimit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, që ndalon punimet në Sheshin “Xhorxh Bush”.
Sipas ministrit, në vendimin e saj, “Gjykata ka theksuar se mbrojtja e trashëgimisë kulturore është interes publik, dhe se të gjitha institucionet shtetërore janë të obliguara të respektojnë ligjin dhe të pajisen me pëlqimet e nevojshme nga autoritetet kompetente të trashëgimisë”.
Çeku ka theksuar se që nga fillimi, ministria që ai udhëheq e ka ftuar Komunën të veprojë në përputhje me ligjin, duke akuzuar Komunën e udhëhequr nga Përparim Rama për një qasje arrogante dhe shpërfillëse ndaj legjislacionit.
Në mes të gushtit, Gjykata Themelore në Prishtinë hodhi poshtë kërkesën e Komunës për masë sigurie, që synonte të shtyhej ekzekutimi i vendimit të Inspektoratit. Tani, Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e Komunës, duke e konsideruar të pathemeltë dhe duke vërtetuar vendimin e Themelores.
Vendimi i cili sipas fotografisë së publikuar nga Çeku mban datën 1 shtator, është i katërti me radhë dhe lë në fuqi vendimin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore për ndalim punimesh në këtë pjesë të qytetit.