Të martën në Bruksel u mblodh këshilli i çështjeve të përgjithshme i Bashkimit Evropian.
Mbledhja e ministrave për çështje evropiane të 27 vendeve anëtare të BE-së u udhëhoq nga ministri çek i kësaj fushe, Mikulash Bek, kjo pasi që shteti i tij mban presidencën e unionit deri më 31 dhjetor.
Në rend dite ishin prioritetet e presidencës çeke të bllokut me 27 anëtare që zgjat deri më 31 dhjetor. Ndër top prioritet ishte Ballkani Perëndimor dhe tre vende të ish bllokut sovjetik. Për Kosovën, ishte çështja e heqjes së regjimit të vizave për në zonën Shengen.
“Ne gjithashtu synojmë të bëjmë përparime në debatin për liberalizimin e vizave me Kosovën. Do përcjellim progresin drejt BE-së, të Ukrainës, Gjeorgjisë e Moldavisë dhe në mënyrën e duhur ne do reflektojmë mbi këtë në konkluzionet e Këshillit në dhjetor për zgjerimin”,shtoi Bek.
Praga, zyrtare synon që të mbaj konferencat e para të hapjes së negociatave për anëtarësim me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.
Kurse Mali i Zi e Serbia, do mbyllin e hapin kapitujt krejt bazuar në meritë e përmbushje kushtesh.
“Vendimtare në përparimin e vendeve kandidate do të jenë, adresimi i parimeve kryesore të sundimit të ligjit, ndarjen e vlerave të BE-së, dhe rreshtimin e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian”.
Takimi i ministrave të martën ishte parapërgatitje për temat e diskutimit që do bëhen me 20 e 21 tetor kur mblidhet Këshilli Evropian, instanca kryesore që merr vendime siç është ai për liberalizim vizash.