Vjosa në UNESCO, Kumbaro: Aplikimi gati brenda vitit

Vjosa në UNESCO, Kumbaro: Aplikimi gati brenda vitit

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë Mirela Kumbaro ka njoftuar nisjen e punës për përfshirjen e Vjosës në listën e pasurive botërore të mbrojtura nga UNESCO, nën programin “Njeriu dhe Biosfera”.

Kumbaro ka pasur një takim me delegacionin e UNESCO-s në Tiranë, i cili do të ndjekë përgatitjen e dosjes së aplikimit.

“Na pret një punë intensive në përgatitjen e dosjes së aplikimit, që Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura do të dorëzojnë në UNESCO brenda këtij viti, për t’i dhënë një tjetër pasaportë ndërkombëtare mbretëreshës së lumenjve evropiane e për të shtuar një tjetër xhevahir shqiptar në listën e UNESCO”, tha Kumbaro.

Vjosa u shpall Park Kombëtar në mars 2023. Më herët, drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO Audrey Azoulay vizitoi Vjosën me ftesë të ministres Kumbaro me qëllim përfshirjen e saj në listën e lokacioneve të mbrojtura nga UNESCO, duke e vlerësuar si një prej lumenjve të fundit të egër në Evropë dhe i pari Park Kombëtar i një lumi të paprekur.

Përgatitja e aplikimit është një proces i gjatë sipas standardeve të Organizatës Botërore të Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë, dhe Shqipëria do të asistohet nga ekipi i programit “Man and Biosphere”.

Related Articles