Gramoz Vokrri, i cili u bllokua në kandidimin e tij për pozitën e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Kuvendin Zgjedhor të thirrur për nesër e ka cilësuar si joligjor.
Gjykata Themelore e Prishtinës ditë më parë e refuzoi ankesën e Vokrrit. Por, sipas tij, vendimi i Gjykatës nuk ka të bëj me legjitimitetin e Kuvendit.
Vokrri fillimisht u shpreh i habitur se si Federata e Futbollit e Kosovës e mori vesh vendimin e Gjykatës para tij dhe avokatëve të tij.
“Fillimisht kam qenë i befasuar sepse avokatët e mi kanë qenë të informuar vetëm sot. Është për t’u habitur se si Federata e Futbollit ka publikuar aso dokumente. Si duket kanë qenë fotografi. Unë sot kam marrë konfirmim nga avokati im, i cili ka qenë i informuar hiq më larg se sot. Lënda do të shkon në Apel, sepse sipas avokatëve ka shumë shkelje. Kështu që do t’ia lamë fjalën drejtësisë”, tha ai për “Sportin n’Fokus” në T7.
“Në bazë të dokumentit që e kam parë sot, ai nuk e legjitimon aspak Kuvendin. Pikërisht për këto arsye lënda është në Apel. Por, për këto çështje juridike është më kompetent avokati. Këtu nuk është në pyetje aspak Gramoz Vokrri, por është në pyetje vullneti i shumë klubeve, shumë akterëve të futbollit. Nuk është këtu më rëndësi Gramoz Vokrri, por e rëndësishme është me ecë futbolli përpara. Por, si duket futbolli momentalisht ka mbetur peng i disa personave”, shtoi Vokrri.
Djali i legjendës Fadil Vokrri, Gramozi, tutje tha se delegatët e disa klubeve tashmë janë të vendosur për bojkotimin e këtij Kuvendi, teksa janë në bisedime edhe me përfaqësuesit e klubeve tjera.
Ai gjithashtu tha se vendimi për mos lejimin që gazetarët dhe mediat të jenë prezent nesër në Kuvend, dëshmon se në FFK mbizotëron jotransparenca.
“Kemi bisedime me përfaqësuesit e klubeve të ndryshme, të cilët janë kundër këtij Kuvendi, që është cilësuar i jashtëligjshëm edhe nga Ministria. Përndryshe, unë dëshiroj që të mos ketë ndonjë ekses edhe nëse mbahet. Është situatë e mjegullt, sot lexova se edhe mediave iu është ndaluar hyrja. Lokacioni ka ndryshuar dy-tri herë brenda ditës. Nuk e di për çfarë arsye, por dëshmohet edhe njëherë shumë qartë se jotransparenca mbizotëron në atë institucion”, tha Vokrri.
Kujtojmë se nëse në Kuvend nuk janë prezent 2/3 e delegatëve, atëherë dështon edhe mbajtja e tij.
“Në bazë të statutit nëse nuk janë 2/3 të delegatëve prezent në Kuvend, atëherë nuk mund të merret asnjë vendim. Mbetet për t’u parë nesër se çfarë do të ndodhë. Ka disa delegatë që janë të vendosur për t’u mos u paraqitur në Kuvend. Jemi në bisedime. Do të shohim nesër sepse nuk mundem për momentin të marrë përgjegjësi për të thënë se ka me qenë prezent ky ose ky. Por, ka një interesim të madh që të bojkotohet ky Kuvend i jashtëligjshëm”, deklaroi Gramoz Vokrri.