Raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka dhënë një intervistë për Deutsche Wellen, ku ka komentuar situatën politike në Ballkanin Perëndimor.
Ajo ka pasur kritika të ashpra për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Von Cramon ka vlerësuar se presidenti serb i kontrollon mediet, duke lejuar fushatë diskridituese ndaj BE-së e Perëndimit. Për më shumë, ajo ka vënë theksin se përkundër kësaj, Vuçiqi ka pranuar financimin e BE-së.
“Njerëzit duhet të kuptojnë se Vuçiqi është ai që kontrollon shtypin dhe se me vite ai ka lejuar që Bashkimi Evropian, për ne në Perëndim, të diskreditohet vazhdimisht. Dhe ai i mori paratë”, tha ajo.
Tutje, Von Cramon ka folur edhe për investimet e Gjermanisë në Serbi.
“Kjo krijoi prosperitet ekonomik, por gjithashtu i mundësoi Vuçiqit të çimentonte fuqinë e tij politike. Ne do të duhej të përfitonim nga kjo. Do të duhej të futeshim shumë më tepër politikisht dhe të themi: Ne presim këtë dhe atë nga ju. Dhe kjo duhet thënë para kamerave”, deklaroi Von Cramon.