Në vazhdën e reagimeve dënuese brutale ndaj autoriteteve të Kosovës për shkak të hyrjes me forcë në ndërtesat komunale zyrtare në tri komunat veriore të banuara me shumicë serbe, edhe më e ashpër ka qenë Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, eurodeputetja e të gjelbërve gjermanë, Viola von Cramon, e cila tha se “legjimiteti politik është zero” për të hyrë me forca policore të armatosura rëndë, ndërsa tha se vendimi i qeverisë kosovare është “i dënueshëm nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar” teksa citoi edhe reagimin e Sekretarit amerikan të Shtetit Anthony Blinken, krahas asaj të Gjermanisë.
Von Cramon, e cila qysh në mëngjes zhvilloi takim me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe e cila kaherë kishte qenë një përkrahëse e hapur e tij, ia mësyu edhe pjesës veriore të vendit ku vizitoi nga afër këto komuna. E madje, një koment të tillë ajo e bëri mu para ndërtesës komunale të Zveçanit.
“Mendoj se shumë gjëra shkojnë keq në këtë shtet nëse ky është realiteti, nëse shohim makina të blinduara, policë të armatosur rëndë, njësi speciale që 24/7 ruajnë ndërtesat komunale, ne vërtetë duhet të mendojmë për mundësi të tjera dhe opsione të tjera. Kjo nuk është të paktën ajo ne dhe BE-ja kemi në mendje. E di që është situatë e vështirë, siç e kam thënë më parë, Qeveria mund të ketë diçka tjetër në mendje, por si e zbatoi atë, nuk është në linjë me gjithçka, të paktën ne në BE do të donim të shihnim”, thotë ajo.
Në atë se kryetarët e zgjedhur shqiptarë janë zgjedhur me më pak se nga 200 vota, dhe bojkotit pothuajse absolut të komunitetit serb, Cramon u shpreh se zgjidhja duhet të jetë me përfshirjen e popullatës lokale. Duke folur për pengesën që bëri një pjesë e njerëzve para ndërtesave komunale, Von Cramon u shpreh kështu:
“Ne nuk mund thjesht të zbatojmë të drejtën për të hyrë në një ndërtesë komunale, edhe nëse de jure keni të drejtë të bëni një gjë të tillë. Por, de facto nuk mendoj se ka legjitimim për të bërë diçka të tillë”, thotë Viola von Cramon.
“Mendoj se jemi në një pikë kruciale se si të procedohet nëse situata vazhdon kështu. Që të gjithë ne jemi shumë të shqetësuar dhe keni parë deklaratën e fortë nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të QUINT-it, të ambasadës sonë. Pra, mendoj se i gjithë komuniteti ndërkombëtar dënon këtë veprim në mënyrën më të fuqishme të mundshme”, thotë ajo.