Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar të premten në Tiranë, se Bashkimi Evropian është në proces e sipër të formulimit të sanksioneve të reja, që kanë për qëllim të rrisin presionin ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.
Deri më tani, BE-ja ka miratuar 17 pako sanksionesh kundrejt Rusisë, porse diplomatët kanë shprehur skepticizëm se mund të arrihet konsensusi i 27 vendeve anëtare të bllokut për të kaluar masat e reja, transmeton Reuters.
“Ai s’dëshiron paqe, si rrjedhojë ne duhet të rrisim presionin, dhe pikërisht kjo është arsyeja se pse ne po punojmë rreth një pako të re sanksionesh”, ka thënë von der Leyen, para Samitit të Komunitetit Politik Evropian.
“Kjo pako do të përfshijë, për shembull, sanksione ndaj Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2. Do të përfshijë gjithashtu më shumë anije të flotës së errët ruse dhe uljen e kufirit të çmimit të naftës, si dhe më shumë sanksione ndaj sektorit financiar në Rusi”, ka vazhduar ajo.
Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2, secili i përbërë nga dy tubacione, u ndërtuan nga kompania shtetërore ruse, Gazprom, për të transportuar gazin natyror në Gjermani përmes Detit Baltik. Ato u dëmtuan nga një seri shpërthimesh në vitin 2022.