Von der Leyen në Beograd: Njohja ‘de facto’ nënkupton zbatim të marrëveshjes nga ana e Serbisë

Von der Leyen në Beograd: Njohja ‘de facto’ nënkupton zbatim të marrëveshjes nga ana e Serbisë

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha dje nga Beogradi se njohja ‘de facto’ e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë nënkupton zbatimin e marrëveshjes së arritur për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.

Von der Leyen shkoi në Beograd nga Podgorica, ndërsa paraprakisht qëndroi në Prishtinë. Fjalimi i saj në konferencën për media në Beograd, pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ishte pothuajse identik me atë në Prishtinë.

Ajo beson se është thelbësore që të dyja palët të angazhohen në dialog dhe të ecin drejt rrugës së normalizimit.

Von der Leyen tha se Serbia duhet të fillojë ta zbatojë marrëveshjen dhe “të mos humbasë kohë”.

“Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit parasheh hapa të ndryshëm që përfshijnë, për shembull, njohjen e dokumenteve dhe institucioneve nga Serbia, dhe nga ana tjetër, shkon me themelimin e Asociacionit. Kjo do ta hapë rrugën për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Është një parakusht i domosdoshëm për rrugën europiane”, tha ajo.

Vuçiq tha se për Serbinë, “njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje” dhe tha se “nuk e kam të vështirë dhe nuk kam turp ta them tani dhe para presidentes së Komisionit Europian”.

Related Articles