Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, është treguar i ashpër me një postim në rrjete sociale.
Ai ka thënë se po afrohet koha për votim të fshehtë për kandidaturën për Drenas.
Lladrovci theksoi se nuk mund askush ta largojë nga PDK-ja.
Postimi:
Dega e PDK-së në Drenas, vazhdimisht para nominimeve për kryetar komune, por edhe për zgjedhjet nacionale, është përballur me dyshime e hile të natyrave të ndryshme, rreth kandidatit për kryetar, përbërjes së asamblesë, apo kandidatëve për deputetë.
Kësaj here, për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, sfida ka marrë përmasa të një dukurie që më herët nuk ka ndodhur, zgjedhjen e kandidatit për kryetar të komunës nga anëtarët e Kryesisë së PDK.
Pyetja e parë që shtrohet, sa e njohin degën e PDK-së dhe punën në komunën e Drenasit 43 anëtarët e Kryesisë?
Cili është kriteri për të votuar, dhe më e rëndësishmja, a po votojnë për kryetarin e qytetarëve të Drenasit apo për Kryetarin e pëlqyer të Kryesisë së Partisë!
Përkundër se dega e PDK-së në Drenas, mbase e vetmja shprehu gatishmëri të zhvillonte zgjedhjet e brendshme, pas vitit 2021, Kryesia vendosi të mos ketë zgjedhje në asnjë degë, as në ato që ishin me kryesi të emëruara.
Në këto rrethana u kontestua legjitimiteti i kryetarit të degës, legjitimitet i kontestuar që nga viti 2021, nga ata që u larguan nga PDK dhe krijuan subjekt tjetër politik. Është kontestim nga ata që e shanë partinë dhe udhëheqësit e saj, punuan kundër PDK-së me mbi 18 profile të rreme, u kontestua nga ata që shkaktuan dëme milionëshe me ndikim në vota negative për projekte zhvillimore. Ky kontestim u legjitimua nga Selia qendrore.
Sigurisht, as për Kryetarin dhe Kryesinë e PDK-së nuk është i lehtë presioni që vije nga ata që e themeluan subjektin opozitar në Drenas më 2021 dhe tash përzgjodhën bedelin e ri “për projekt strategjik”.
Kontestimi i kandidaturës time, sipas statutit, nuk ndodhi rastësisht. Ata që i humbën zgjedhjet më 2021, nuk dëshironin proces normal të zgjedhjeve të brendshme. Si i emëruar, në krye të degës, për herë të parë po aplikohet kandidim i dalë nga “votimi i fshehtë”.
Pas dështimit në zgjedhjet nacionale, kundër kandidati i deklaruar, në publik me ndjekësit e vet, kishte paralajmëruar garën për kryetar të Drenasit, duke theksuar se “do të garonte me apo pa miratimin e partisë”. Unë jam gati për garë.
Votimi “i fshehtë” në Kryesi të PDK-së po afron. E kuptoj se më shumë se për kandidaturën time, bëhet fjalë edhe për integritetin anëtarëve të kryesisë së PDK-së të cilët nuk duan të ballafaqohen me shefin e bedelëve. Disiplinën partiake, kam dëshmuar se e çmoj më shumë se anëtarët e emëruar të Kryesisë.
Si themelues i PDK-së, me një biografi që fillon në vitet ’80, për disa anëtarë të Kryesisë së PDK-së mund të duket film, ndërsa për kryetarët e komunave të PDK-së brenda 7 vjetëve të garës së performancës komunale jam i paarritshëm.
Sukseset e mia janë vlerësuar nga faktorë vendorë e ndërkombëtarë, i dëshmuar me punë dhe performancë të shkëlqyer, në zbatim të ligjit dhe transparencës. Ky sukses i atribuohet zyrtarëve komunalë, Kabinetit por edhe qytetarëve kampionë të Drenasit.
Nga anëtarët e Kryesisë së PDK-së pres objektivitet, t’i thonë jo dëshirës së keqbërësve dhe bedelëve të vitit 2021 dhe 2025, të cilët tashmë janë bashkuar kundër qeverisjes së mirë.
Konsideroj se në mbledhjen e Kryesisë së PDK-së, ku pritet të votohet për kandidatët për disa kryetarë të komunave, anëtarët nuk duhet të jenë të pranishëm. Ashtu, ata nuk do të bëhen pjesë e padrejtësisë ndaj kryetarit kampion të performancës.
Qeverisja lokale matet me 119 treguesit e performancës, tregues përcaktojnë komunën kampion. Anëtarët e Kryesisë lë të informohen nga komunat nga vien përse nuk i kanë komunat e veta kampion të performancës e pastaj lë të marrin vendim për kampionin e performancës për gjashtë herë.
Drenasi me qytetarët e saj, do ta japin përgjigje për situatën, pres të jetë përgjigje e fuqishme për të mos lejuar pushtet të tretë e as qeverisje të bedelëve.
Po e përsëris: Dje, sot, nesër, PDK. Nuk ka bir nane që mund të më largojë nga PDK dhe vizioni i heronjve tanë të luftës dhe paqes!