Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka njoftuar se pas tri dështimeve të kandidatit të Listës Serbe, Sllavko Simiq, për të marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit, dhe pas refuzimit të kësaj partie për të propozuar një emër tjetër, procesi do të kalojë në procedurën e shortit, sipas Rregullores së Punës.
“ Në gjykimin tim, kandidati është ezauruar, Lista Serbe po refuzon të propozojë kandidat tjetër, prandaj vazhdojmë me nenin 7”, tha Basha, duke i kërkuar administratës së Kuvendit të përgatisë tavolinën për hedhjen e shortit.
Sipas pikës 7 të nenit 12 të Rregullores së Punës, në rast se nuk ka propozime për kandidatë, emri i nënkryetarit zgjidhet me short në prani të deputetëve të komuniteteve përkatëse, ndërsa procedura administrohet nga Kryetari i Kuvendit.