Vozitësi shqiptar Zendeli detyrohet të tërhiqet nga Formula 2, për shkaqe financiare

Vozitësi shqiptar Zendeli detyrohet të tërhiqet nga Formula 2, për shkaqe financiare

Lirim Zendeli ka njoftuar se është tërhequr nga Formula 2 për shkak se mungesës së përkrahjes financiare për ta vazhduar garimin në këtë sport, si pasojë e ndikimit të pandemisë së Covid-19.

Zendeli, i lindur në Gjermani nga prindër shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, kishte debutuar këtë sezon në Formula 2 – kategorinë e dytë të garës me formula – për ekipin MP Motosport, raporton Gazeta Express.

 “Fatkeqësisht, kam një lajm pikëllues. Po largohem para kohës. Nuk do të jem në gjendje të vazhdoj në Formula 2 më, për arsye financiare. Pandemia ma ka zvogëluar edhe më shumë buxhetin edhe ashtu të vogël”, shkroi Zendeli në Twitter.

Zendeli – i cili fitoi pikë në pesë gara në sezonin e tij debutues, 11 në përgjithësi – ka thënë se do të bëjë përpjekje të mëdha për t’u kthyer në pistën e formulës sa më parë.

“Jam krenar që pata mundësinë të garoj në Formula 2, duke e ditur se vij nga një familje normale në aspektin financiar. Ta kuptoj se më duhet të tërhiqem është shumë e vështirë, por do të bëjë gjithçka për ta gjetur një mundësi për t’u kthyer në pistë sa më shpejt”, shtoi ai.

Ulësen e Zenelit në formulën me numrin 12 do ta zërë Clement Novalak për garat e ardhshme.

Zendeli është vozitësi i katërt i Formula 2 që detyrohet të tërhiqet për shkak të telasheve financiare këtë vit, pas Matteo Nannini, Gianluca Petecof dhe David Beckmann.

Related Articles