Policia e Kosovës ka konfiskuar një veturë të tipit BMW 118 pasi drejtuesi i saj u kap duke tejkaluar shpejtësinë e lejuar dhe duke vozitur pavarësisht masës së ndalimit të patentës.
Rasti ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 19:50, në rrugën magjistrale në fshatin Gërlicë të Ferizajt, ku njësia e Komunikacionit Rrugor ndaloi automjetin gjatë kontrollit rutinë.
Sipas Policisë, shoferi me inicialet SH.B. (30 vjeç) po lëvizte me 82 km/h në një zonë ku kufizimi maksimal i shpejtësisë është 50 km/h.
Verifikimet kanë treguar se ai kishte në fuqi një masë mbrojtëse që ia ndalonte drejtimin e automjeteve për periudhën 12 mars 2026 – 11 mars 2027.
Për këtë kundërvajtje, policia i ka shqiptuar një gjobë prej 500 euro, pesë pikë negative, i ka zgjatur masën e ndalimit të patentës edhe për gjashtë muaj, si dhe i ka konfiskuar automjetin.
