Hetuesit gjermanë kanë në dispozicion një letër ku thuhet se është i gjithë rrëfimi i njërit prej autorëve të dyshuar të vrasjes së ish-boksierit shqiptar Besar Nimani.
Sipas Westfalen-Blatt, në letër raportohet se 33-vjeçari Ayman Krit pranon vrasjen e 38-vjeçarit. Grupi hetimor që po punon për të zbardhur vrasjen e ish-boksierit nga Kosova, e disponon këtë letër në email.
Megjithatë policia nuk ka treagur nëse kjo letër e njërit prej atentatorëve të dyshuar është autentike.
“E rreme apo e vërtetë? Doli letra e rrëfimit për vrasjen e Besar Nimanit”, është titulli i tekstit të kësaj medie.
Me 9 mars në mbrëmje Besar Nimani u vra me armë zjarri në Bielefeld të Gjermanisë.
Sipas dëshmitarëve okularë, një grup burrash i janë afruar viktimës përpara ta qëllonin. Ai ka vdekur nga plagët e marra në vendngjarje.
Grupi i personave që qëlluan janë në arrati. Dëshmitarët i thanë Radio Bielefeld se ishin në një kafene në Obernstrasse përpara se të kryenin krimin, ndërkohë që viktima kishte dalë nga një parkueri kur u qëllua.