Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas vrasjes makabre të gruas shtatzënë në Prishtinë, për të cilën Front Online ka raportuar i pari mbrëmë.
Ai thotë se ka kërkuar nga Policia e Kosovës angazhim maksimal për arrestimin e menjëhershëm dhe sjelljen para drejtësisë të kriminelit dhe vrasësit të dyfishtë, Sokol Halili.
Sveçla njofton se ka kërkuar raporte të detajuara mbi rastin dhe historikun që nga informata e parë zyrtare deri në momentin e aktit makabër.
Po ashtu, ka kërkuar përfshirjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për hetimin e punës.
Postimi i plotë:
Si të gjithë qytetarët e vendit tonë, jam tronditur nga vrasja makabre e Hamide Magashit dhe fëmijës së saj pak orë pa lindur nga ish-bashkëshorti i saj.
Nga Policia e Kosovës kam kërkuar angazhim maksimal të të gjithë zyrtarëve policorë për arrestimin e menjëhershëm dhe sjelljen para drejtësisë të kriminelit dhe vrasësit të dyfishtë, Sokol Halili.
Arrestimi dhe drejtësia janë urgjenca e këtij rasti dhe ftoj edhe qytetarët të bashkëpunojnë me policinë nëse kanë informata që mund të lehtësojnë apo përshpejtojnë këtë proces.
Po ashtu, që nga momentet e para e në vazhdimësi kam kërkuar raporte të detajuara mbi rastin dhe historikun që nga informata e parë zyrtare deri në momentin e aktit makabër.
Në të njëjtën kohë kam kërkuar përfshirjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti në secilën instancë. Pa asnjë dilemë, sapo të pranoj zyrtarisht raportet e kërkuara, do të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës.
Ju siguroj që janë angazhuar të gjitha kapacitetet e nevojshme policore që sa më parë ky kriminel të arrestohet dhe të sillet para organeve të drejtësisë.