Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj, merret në pyetje portugezi Ruben Saraiva

Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj, merret në pyetje portugezi Ruben Saraiva

Nën akuzë për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, portugezi Ruben Saraiva është marrë në pyetje nga oficerët e krimeve të rënda në Policinë e Shtetit këtë të mërkurë në Komiseriatin e Lezhës.

Nën masa të rrepta sigurie, 28-vjeçari Portugez u shoqërua nga burgu i Reçit në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë ku dhe ka dhënë dëshminë e tij lidhur me ngjarjen.

Portugezi qëndron në paraburgim në burgun e Recit, që prej momentit kur është ekstraduar në Shqipëri me 31-dhjetor të vitit që lamë pas, raporton RTSH.

Ndaj tij rëndojnë akuzat “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve”.

Nga ana e tij, portugezi Saraiva ka mohuar para gjyqtarëve që të jetë i përfshirë në vrasje.

Për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj më 19 prill 2023 në lokalin e tij në Shëngjin të Lezhës janë arrestuar në Angli 3 shtetas britanikë dhe Edmond Haxhia i dyshuar si porositës i këtij krimi.

Edhe për këta të fundit autoritetet shqiptare kanë dërguar kërkesë për ekstradimin e tyre nga Britania në Shqipëri, por ende nuk ka një vendim.

Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj ishte në vazhdën e zinxhirit të hakmarrjes që familja e viktimës kanë me një fis tjetër, konflikt ky që ndër vite ka prodhuar shumë viktima.

Related Articles