Gjykata Themelore në Ferizaj ka vendosur një muaj paraburgim ndaj L.F., pasi dyshohet për vrasjen e të zhdukurit B.V., që u gjet i vdekur më 5 shkurt.
Në njoftimin e gjykatës thuhet se i ndjeri ishte vrarë me sëpatë në kokë dhe më pas ishte goditur edhe në pjesë tjera të trupit.
I njëjti akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë.
Më poshtë e keni rastin e plotë si ka ndodhur e gjithë ngjarja duke u bazuar në të dhënat e lëshuara nga gjykata:
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda Habib Zeqiri, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 23 janar 2025 në orët e pasdites, në malet e një fshati të Komunës së Ferizajt, në mënyrë mizore ka privuar nga jeta viktimën B.V., në atë mënyrë që të njëjtit së bashku më datë 22 janar 2025, fillimisht shkojnë në një villë, ku aty qëndrojnë së bashku, kurse të nesërmen të dy në këmbë nisen për tu kthyer në shtëpitë e tyre, ashtu që për shkaqe të panjohura deri më tani të njëjtit devijojnë rrugën dhe vazhdojnë për malet e një fshatit të Komunës së Ferizajt dhe me të arritur afër fshatit i pandehuri për motive ende të panjohura fillimisht e godet me sëpatë në kokë nga mbrapa, pastaj e godet edhe disa herë në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar dhimbje, derisa të njëjtin e privon nga jeta, pastaj viktimën e gropos në një vend në mal duke e mbuluar me dhe e drunjtë kufomën me qëllim të fshehjes dhe zhdukjes së gjurmëve dhe largohet nga vendi i ngjarjes, kurse më datë 5 shkurt 2025 nga disa persona të fshatit gjendet trupi i pajetë i viktimës si dhe në afërsi të kufomës janë gjetur edhe rrobat e tij të djegura.