Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar dy zyrtarë policorë të stacionit në Drenas të cilët dyshohet se kanë treguar neglizhencë gjatë realizimit të detyrës.
Rasti ka të bëjë me vrasjen mesditen e së shtunës në fshatin Fushticë e Poshtme në Drenas.
“Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Drenas. Hetuesit e IPK-së kanë filluar të ndërmarrin veprime fillestare hetimore me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Nga të dhënat e mbledhura deri më tani gjatë hetimeve të IPK-së dyshohet se zyrtarët policorë kanë treguar neglizhencë gjatë realizimit të detyrës zyrtare dhe ndërmarrjes së veprimeve lidhur me një vrasje që është raportuar dje në orët e pasdites në fshatin Fushticë e Poshtme të Drenasit”, thuhet në komunikatë.
“Bazuar në hetimet fillestare dhe në autorizimet ligjore të IPK-së, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor dhe parandalimit të ndonjë ndikimi të mundshëm në prova apo dëshmitarë , është rekomanduar suspendimi i zyrtarëve në fjalë”.
Policia përmes raportit 24 orësh sot bëri të ditur se i dyshuari për vrasjen tashmë është arrestuar. Madje policia kishte sekuestruar një pistoletë, një fishekë dhe një gëzhojë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se kishte qëlluar me armë zjarri për vdekje viktimën mashkull kosovar. Është sekuestruar pistoleta, një gëzhojë dhe një fishek. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhej në raportin e policisë.
