Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër të pandehuri me inicialet M.M.
Prokuroria Speciale njofton se aktakuza është ngritur kundër të pandehuri për shkak se i njëjti ka kryer veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, ‘’Kanosja” dhe ‘’Falsifikimi i dokumenteve”.
Rasti ka të bëjë me vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, ku i pandehuri si pjesë e grupit veprimet i ka ndërmarrë pas ndodhjes së vrasjes duke penguar procedurën penale dhe pas hetimit i njëjti ka përdorë dokumente të falsifikuara si dhe ka kanosur personat zyrtar të cilët kanë zhvilluar procedurë penale ndaj tij.
Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, para objekteve të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.
Ai ishte bartës i listës “Liri, Demokraci, Drejtësi – Oliver Ivanoviq” në zgjedhjet lokale të Kosovës, të cilat u mbajtën në nëntor të vitit 2017, disa muaj para vrasjes së tij.
Gjatë fushatës parazgjedhore për ato zgjedhje lokale, për shkak të frikësimit të serbëve në veri të Kosovës, katër kandidatë nga lista e tij u tërhoqën, ndërkaq vetë Ivanoviqit iu dogj vetura në Mitrovicë të Veriut.