Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas vrasjes së mësimdhënëses në Prishtinë, nga burri i saj, duke theksuar se ky rast dhe të tjerët të ngjashëm janë një alarm që po qëndron i ndezur në vazhdimësi ndaj të cilit duhet të reagojë shteti dhe gjithsecili në përgjegjësinë që na takon.
LDK nëpërmjet një reagimi, ka thënë se mëngjesi i Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, lindi me lajmin e kobshëm ku një grua u privua nga jeta nga burri i saj.
“Është koha e fundit që shteti e ne si shoqëri të veprojmë. Është koha e fundit që shprehja e ngushëllimeve të zëvendësohet me veprime konkrete për një mjedis të sigurt e kushte të barabarta për gratë. Vajzat e gratë duhet të jenë të sigurta, të mbrojtura e të barabarta. Dhuna e vrasja e grave nuk duhet të lejohet që të kaloj në normalitet. Ta privosh nga jeta një grua është humbje për një shtet e një shoqëri. Na takon të bëhemi përgjegjës për një jetë të dinjitetshme të secilës vajzë e grua. Kjo është një detyrë që duhet përmbushur domosdoshmërisht. Shteti duhet të veproj, drejtësia gjithashtu, si dhe familja e mbarë shoqëria. Është urgjente”, thuket në reagim.
Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkon që rastet e tilla të trajtohen me urgjencë e seriozitet maksimal nga organet e drejtësisë.