Vrasja e policit Lika, avokati Koci: Nuk ka konstatime për vepër me motive religjioze

Vrasja e policit Lika, avokati Koci: Nuk ka konstatime për vepër me motive religjioze

Avokati Arianit Koci, i cili po përfaqëson familjen e policit të vrarë, Muhamed Lika, ka thënë se deri më tani, “as Policia, as Prokuroria nuk kanë konstatuar se kemi të bëjmë me ndonjë grup terrorist apo me ndonjë vepër me motive religjioze”.

Koci i bëri thirrje të gjithë qytetarëve – përfshirë mediat – që të përmbahen nga deklarimet dhe komentet që nuk bazohen në fakte apo deklarata zyrtare.

“Drejtësia nuk lejohet të ngatërrohet me hamendje, as me interpretime personale. Deri më tani, nuk ka asnjë cilësim zyrtar të tillë. Nëse gjatë hetimeve del ndonjë informatë e re që ndërlidhet me ndonjë grup të tillë, patjetër se opinioni publik do të informohet”, shkroi Koci në një postim në Facebook.

“Sidoqoftë – një gjë është e qartë: kjo ka qenë një vrasje makabër. Kryesit dhe ata që e kanë planifikuar këtë krim do të përgjigjen para ligjit dhe do të dënohen ashtu siç e meritojnë”, u shpreh më tej avokati.

“Sulmi ndaj policit është sulm ndaj shtetit të Kosovës. Është sulm ndaj të gjithëve neve”, përfundoi ai. /Gazeta Enigma

Related Articles