Policia japoneze e ka pranuar se kishte të meta në siguri për ish-kryeministrin japonez Shinzo Abe, i cili u qëllua për vdekje në qytetin jugor të Naras, të premten.
“Është e pamohueshme që ka pasur probleme në siguri”, tha shefi i policisë së Narës, Tomoaki Onizuka.
Një person i armatosur ka shtënë me armë zjarri ndaj Abes derisa ishte duke e zhvilluar fushatën zgjedhore, një krim që e ka tronditur thellësisht Japoninë.
Zgjedhjet e së dielës për dhomën e sipërme po zhvillohen siç ishte planifikuar. Votimi filloi në orën 07:00 me orën lokale, vetëm dy ditë pas vrasjes së Abe.
Analistët sugjerojnë se vrasja e tij mund të rrisë mbështetjen për Partinë Liberale Demokratike (LDP) në pushtet, për të cilën Abe ishte një figurë udhëheqëse dhe me shumë ndikim.
Zgjedhjet për dhomën e lartë më pak të fuqishme të parlamentit të Japonisë zakonisht shihen si një referendum për qeverinë aktuale. Por një fitore e madhe për LDP-në do të forconte aftësinë e kryeministrit aktual për të shtyrë politikat e tij kryesore, duke përfshirë një dyfishim të shpenzimeve të mbrojtjes, shkruan BBC.