Një nga të dyshuarit për vrasjen e Valmir Breznicës është ekstraduar në Kosovë.
Burime të IndeksOnline pohojnë se Lordi Syla, djali i të pandehurit Arsim Syla, është ekstraduar nga Holanda.
Ai u soll dje në Kosovë, nën masa të rrepta të sigurisë, teksa pritet t’i caktohet masa e paraburgimit.
Dyshohet se Lordi, bashkë me babanë e tij, Arsimin, kanë vrarë Breznicën në sy të gruas dhe djalit të tij 4-vjeçar, në një market në Podujevë, në shtator të 2023-tës.
Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, mes të tjerash thuhet:
“… i pandehuri Syla me djalin e tij të mitur L.S, kishin shkuar në kafiterinë e marketit ‘Interex’ në Podujevë, ku rreth orës 12:19, kishin vërejtur të ndjerin V.B, duke hyrë në market bashkë me bashkëshorten e tij, të dëmtuarën L.S dhe fëmijën e tyre. Sipas aktakuzës i pandehuri Syla me djalin e tij L.S, dalin nga restauranti, ku Syla e orienton të miturin L.S në drejtim të të ndjerit V.B, i cili vihet në ndjekje të tij, ndërsa i pandehuri Syla vazhdon për të dalë nga objekti dhe në momentin kur i ndjeri V.B bashkë me bashkëshorten e tij L.S dhe fëmijën e tij arrijnë tek sektori i produkteve të qumështit, i mituri L.S i afrohet nga mbrapa dhe fillimisht shtënë dy herë në drejtim të të ndjerit V.B.
I njëjti duke e qëlluar në shpinë dhe qafë, njëra nga predhat e tejshkon trupin e tani të ndjerit V.B dhe e qëllon edhe të dëmtuarën bashkëshorten e tij, L.S, e cila fillimisht kishte filluar të ikë në momentin kur kishte dëgjuar krismën, ndërsa i mituri L.S nga çanta kishte nxjerrë revolen tjetër me të cilën qëllon edhe katër herë në kokën e tani të ndjerit V.B, i cili tanimë ishte i shtrirë në tokë.”
I biri, Lordi, me shpejtësi kishe dalur nga marketi dhe ishte larguar në këmbë në drejtim të panjohur, ndërsa babai, Arsimi, ishte ofruar tek vetura e tipit ‘Mercedes E200’, të cilën e kishte parkuar përballë ‘Interex-it’ dhe kishte shkuar në shtëpinë e tij në Gllamnik.
Aty, Arsimi u arrestua nga Policia e Kosovës, teksa gjykimi ndaj tij është në proces e sipër.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e familjes Syla, ishin gjetur dhe sekuestruar: një pistoletë, një pushkë gjuetie me dylbi me leje për mbajtje, 62 fishekë të pistoletës, 20 fishekë të pushkës së gjuetisë dhe 2 antiplumba.
