Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur këtë paradite në qendër të qytetit të Rrëshenit në Shqipëri.
Viktimë ka mbetur Martin Bardhi, 59 vjeç, teksa ngjarja ka ndodhur pranë lokalit të tij, ku fillimisht është konfliktuar me autorët dhe më pas sherri ka eskaluar në përdorimin e armëve.
Siç raportohet, Martin Bardhi është emër i njohur për drejtësinë, i përfshirë më herët në konflikte në qytetin e Rrëshenit.
Në mars të këtij viti, së bashku me të birin, Erind Bardhin, Martini qëlloi me armë zjarri në drejtim të automjetit të shtetasit Saimir Reçit, nipi i Kastriot Reçit të ekzekutuar në vitin 2020.
Saimir Reçi humbi kontrollin e mjetit dhe u përplas me bordurën e rrugës, megjithatë mundi t’i shpëtojë atentatit.
Bardhi u vu në pranga pas ngjarje në muajin mars dhe pak ditë më parë kishte rifituar lirinë.
Në fakt, mes fiseve Reçi dhe Bardhaj ka pasur vazhdimisht konflikte dhe dyshohet se edhe vrasja e sotme lidhet me përplasjen mes dy fiseve.