Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka thirrur një mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, pas tri vrasjeve që ndodhën në Vushtrri, gjatë dy ditëve të fundit.
“Dy ditët e fundit kanë sjellë ndodhi tragjike që na kanë prekur të gjithëve thellë. Si Kryetar i Komunës, nuk kam fjalë të mjaftueshme për të shprehur dhimbjen dhe shqetësimin që ndiej për humbjen e jetëve të tre qytetarëve të komunës tonë”, shkroi Idrizi në një postim në Facebook.
“Ky ka qenë një moment shumë i vështirë për të gjithë ne dhe për komunitetin tonë. Për këtë arsye, direkt kam thirrur një mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi”.
“Në këto momente të vështira, ngushëllimet e mia shkojnë për familjarët e viktimave dhe për të gjithë qytetarët e Vushtrrisë që po përjetojnë këtë dhimbje të papërshkrueshme. Organet e sigurisë po i trajtojnë këto dy raste dhe ne presim që drejtësia ta thotë fjalën e fundit”, u shpreh tutje i pari i Komunës së Vushtrrisë.