Gjykata Themelore në Mitrovicë ka refuzuar kërkesën e avokatit Elvir Imeri për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave, ndaj të akuzuarit për vrasjen e bashkëshortes në Llaushë të Skenderajt në janar të këtij viti, S.Q.
Sipas aktakuzës së ngritur më 12 maj 2022, Prokuroria Themelore në Mitrovicë e ngarkon Q. për veprat penale “Lëndimi i lehtë trupor”, “Dhuna në familje”, “Vrasje e rëndë”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 2 qershor 2022, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm për veprat penale të cilat me aktakuzë i vihen në barrë.
Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se mbrojtësi i të akuzuarit Q., avokati Elvir Imeri në afatin ligjor ka parashtruar kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit në prova, në të cilat ka cekur se në lidhje me veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, prokurori i shtetit nuk ka mbledhur prova të mjaftueshme dhe se nuk ka raport mjekësor apo ekspertizë me të cilën do të vërtetohen lëndimet e cekura të shkaktuara tani të ndjerës L.Q.
Më tej, në vendim thuhet se avokati Imeri ka shtuar se konsideron që veprat penale “Lëndimi i lehtë trupor” dhe “Dhuna në familje”, nuk janë në kompetencë të Departamentit për Krime të Rënda të Gjykates Themelore në Mitrovicë, por janë në kompetencë të Departametit të Përgjithshëm – Divizionit Penal të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.
Në lidhje me pikën 3 të aktakuzës ku të akuzuarit S.Q i vihet në barrë kryerja e veprës penale “Vrasje e rëndë”, avokati Imeri ka theksuar se konsideron që raporti i Institurit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës për shëndetin mental për të pandehurin është i paqartë dhe ekziston mundësia që i mbrojturi i tij ka ndonjë ngecje mentale, duke theksuar se në këtë bazohet në informatat e anëtarëve të familjes së të akuzuarit, si dhe nga deklarata e të ndjerës L.Q në polici, ku ndër të tjera kishte shprehur dyshimin se i pandehuri vuan nga ndonjë sëmundje psiqike.
Ndryshe, gjyqtari i rastit Veljko Vuqetiq, pas shqyrtimit dhe analizimit të kundërshtimeve të paraqitura nga ana e mbrojtjes lidhur me kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës, ka vlerësuar se kërkesat e mbrojtësit të të pandehurit janë të pabazuara.
Sipas vendimit të gjykatës, provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës dhe të cilat i ka mbledhur prokurori i shtetit, japin bazë të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës.
“Gjykata poashtu konsideron që në rrjedhjen e deritanishme të procedurës penale nuk është vertetuar asnjë rrethanë e cila përjashton përgjegjësinë penale të të pandehurit”, thuhet tutje në vendim.
Sipas gjykatës, pretendimi i mbrojtjes se prokurori i shtetit nuk ka mbledhur prova të mjaftueshme dhe se nuk ekziston ndonjë raport mjekësor apo ekspertizë me të cilën do të vërtetohen lëndimet e cekura të tani të ndjerës L.Q, nuk është i saktë.
Kjo sepse në shkresat e lëndës gjendet ekspertiza e ekspertit mjekoligjor, dr.Musa Gashi e përpiluar në bazë të katër fotografive, në të cilën është cekur që lëndimet, ndrydhjet në anën e përparme dhe anësore të qafës dhe në regjionin e mollzës së majtë, të cilat i ka pësuar tani e ndjera L.Q, paraqesin lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.
Poashtu, në vendim thuhet se në lidhje me pikën e parë të aktakuzës, e cila i referohet veprës penale Lëndim i lehtë trupor, në zyrën e prokurorit të shtetit e në prezencë të mbrojtësit të të pandehurit, janë marrë deklaratat nga dëshmitarët A.Q dhe E.Q.
Tutje, gjykata pretendimin e mbrojtjes se veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Dhunë në familje” nuk janë në kompetencën e Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, por janë në kompetencë të Departamentit të Përgjithshëm – Divizionit Penal të së njëjtës gjykatë, e ka gjetur si të saktë, por në të njëjtën aktakuzë të pandehurit i ishtë vënë në barrë edhe kryerja e veprave penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pautorizuar të armëve” të cilat në të vërtetë janë kompetencë e Depratamentit të Krimeve të Rënda.
“Në përgjithësi sipas parimit të njohur juridik “Kush mund më shumë mund edhe më pak”, gjykata kosideron që trupi gjykues – Departamenti për Krime të rënda i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, mund të gjykojë si autoritet real dhe vendor, për të gjitha veprat penale të cilat i vihen në barrë të pandehurit në aktakuzë, dhe veçanarisht duke pasur parasysh parimin e efikasitetit dhe ekonomizimit të procedurës penale dhe lidhjet e veprave penale, ku në të gjitha veprat penale është i njëjti person i pandehur dhe e njëjta viktimë”, thuhet tutje në arsyetimin e vendimit.
Ndërsa, edhe pretendimi i mbrojtjes se raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës mbi shëndetin mendor të të pandehurit është i paqartë dhe ekziston mundësia që i mbrojturi i tij ka ngecje mentale, është refuzuar si i pabazuar.
Kjo pasi që gjykata ka konsideruar se ekspertiza e të pandehurit S.Q. është bërë në përputhje me rregullat e profesionit nga ana e ekspertëve me përvojë: dr.Arsim Gashi, dr.Jeton Zogaj dhe dr.Ajet Bunjaku.
Në konstatimin dhe mendimin e ekspertëve të lartëcekur në mënyrë të qartë është konstatuar që i akuzuari nuk vuan nga ndonjë çrregullim mendor, nuk është konstatuar ngecje mendore, i njëjti në momentin e kryerjes së veprës penale për të cilën ngarkohet ka pasur kontroll të veprimeve të tij, është i aftë të konsultohet me persona të tjerë duke përfshirë edhe mbrojtësin e tij dhe që i akuzuari mund të merrë pjesë në shqyrtimin gjyqësor dhe deklaratat e tij mund të jenë të pranueshme.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 12 maj 2022 ka ngritur aktakuzë kundër S.Q.
Në pikën e parë të aktakuzës, në muajin korrik të vitit 2021, i akuzuari S.Q në shtëpinë e tij në fshatin Llaushë, komuna e Skenderajt rreth orës 5 të mëngjesit me dashje i ka shkaktuar lëndim trupor bashkëshortes së tij L.Q.
Rasti ka ndodhur ashtu që pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mes tyre, i akuzuari merr një çarçaf dhe me të e shtrëngon në fyt të dëmtuarën, me ç’rast i shkakton lëndime të lehta trupore – ndrydhje në pjesën e përparme dhe anësore në të dy anët e qafës dhe në pjesën mollëzore të majtë të fytyrës, me pasoja të përkohshme për shëndetin.
Me këtë ka kryer veprën penale Lëndimi i lehtë trupor nga neni 185 par.3 lidhur me par.2 dhe 1 pika 1.4 të KPRK-së.
Ndërsa, në pikën e dytë të aktakuzës thuhet se i akuzuari S.Q më 1 janar 2022 rreth orës 10:00, në shtëpinë e përbashkët familjare në fshatin Llaushë, komuna e Skenderajt, ka ushtruar dhunë psikike me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër dhe atë ndaj bashkëshortes së tij – tani të ndjerës L.Q.
Sipas aktakuzës thuhet se i akuzuari e ka fyer me fjalë dhe i ka thënë “dil nga shtëpia, se je kah më tradhëton”, dhe atëherë djali i tyre, tani dëshmitari A.Q ka lajmëruar policinë, me ç’rast policia arrin në shtëpinë e të pandehurit dhe i dërgojnë në stacionin policor.
Me këtë ka kryer veprën penale Dhuna në familje nga neni 248 par.1 të KPRK-së.
Tutje, në pikën e tretë të aktakuzës, i akuzuari S.Q ngarkohet se më 5 janar 2022 rreth orës 13:30 në fshatin Llaushë, komuna e Skënderajt, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij – tani të ndjerën L.Q.
Në aktin akuzues thuhet se pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme mes tyre, në shtëpinë e përbashkët familjare, gjegjësisht në dhomën e ndejës, i akuzuari ka kërkuar nga vajza e tij e mitur A.Q., që të ia sjell një gotë ujë.
Pasi vajza ka shkuar në kuzhinë ka dëgjuar një krismë, është kthyer në sallon dhe ka parë babain e saj duke shkrepë armën – pistoletën e markës “Zoraki” model M 9060B, me numër serik 0319, dhe atë 6 herë në drejtim të tani të ndjerës-bashkëshortes së tij L.Q
E ndjera është goditur në trup dhe si pasojë e plagëve ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin rajonal të Mitrovicës.
Me këtë ka kryer veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 173 par.1 nën par.1.3 të KPRK-së.
Ndërsa, në pikën e fundit të aktakuzës i akuzuari S.Q po akuzohet se nga data dhe viti i pacaktuar e gjerë më 5 janar 2022 në shtëpinë e tij në fshatin Llaushë, komuna e Skenderajt, ka mbajtë në posedim armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm – Ligjin mbi armët të Republikës së Kosovës, dhe atë pistoletën e markës “Zoraki” model M 9060B, me numër serik 0319.
Sipas aktakuzës të njëjtën armë i akuzuari pas kryerjes së veprës penale të Vrasjes e ka dorëzuar në polici së bashku me tre fishekë.
Me këtë ka kryer veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të KPRK-së.