Vriten 20 palestinezë afër një pike ndihmash

Vriten 20 palestinezë afër një pike ndihmash

Të paktën 20 palestinezë kanë humbur jetën të mërkurën në një pikë të shpërndarjes së ndihmave që drejtohet nga Fondacioni Humanitar i Gazës (FHG), në atë që fondacioni privat, i mbështetur prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli, e ka kualifikuar si trazirë të shkaktuar nga anëtarë të grupit militant Hamas, raporton Reuters.

Zyra për të Drejtat e Njeriut në kuadër të Kombeve të Bashkuara ka njoftuar se ka dokumentuar të paktën 875 të vdekur përgjatë gjashtë javëve të fundit afër pikave të shpërndarjes dhe autokolonave humanitare në Gazë, shumicën prej të cilëve në zonat e menaxhuara nga FHG-ja.

Në fondacionin privat kanë bërë të ditur se 19 persona u shkelën për vdekje, teksa një tjetër ka humbur jetën pasi është therur me thikë, gjatë trazirave në njërën prej pikave të saj.

“Kemi arsye kredibile për të besuar se persona brenda turmës – të armatosur dhe të lidhur me Hamasin – i kanë shkaktuar trazirat në mënyrë të qëllimshme”, thuhet në njoftimin e FHG-së.

Nuk ka pasur ende ndonjë koment nga Hamasi.

Zyrtarë të fondacionit, i cili kishte filluar shpërndarjet e pakove ushqimore në fund të muajit maj pasi Izraeli e hoqi bllokadën 11-javore për ndihmat humanitare, kanë mohuar kritikat e Kombeve të Bashkuara (OKB), duke e akuzuar organizatën më të madhe ndërkombëtare për përhapje të dezinformatave.

OKB-ja e ka cilësuar modelin e FHG-së si “të pasigurt”, duke konsideruar se përbën shkelje të standardeve humanitare.

Related Articles