Tre civilë janë vrarë dhe 11 të tjerë janë plagosur nga bombardimet e reja ruse në katër rajone ukrainase, njoftuan autoritetet të premten.
Në rajonin e Harkivit u vra një person, ndërsa një tjetër u plagos në Kupiansk, tha Oleh Sinehubov, guvernatori i këtij rajoni.
Sinehubov tha se 21 vendbanime në këtë rajon u sulmuan nga Rusia.
Guvernatori i Dnipropetrovskit, Serhiy Lysak, tha se dy njerëz u vranë në Nikopol dhe tetë të tjerë u plagosën. Në Donjeck, një person u plagos, tha kryetari rajonal Vadym Filashkin.
Oleksandr Prokudin, guvernatori i Hersonit, tha se një person u plagos në këtë rajon.
Më herët të premten, zyrtarët ukrainas thanë se ushtria ukrainase i shkatërroi të gjithë 10 dronët me të cilët Rusia e sulmoi gjatë natës.