Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë mbrëmje të 1 nëntorit në fshatin Gjormë të Selenicës. Një shtetas është vrarë në mes të fshatit Gjormë.
Viktima është Dalan Gjolek Alliaj, rreth 35 vjeç. Raportohet se Alliaj është vrarë me breshëri plumbash, teksa ndodhej tek shtëpia e xhaxhait. Mbi të u qëlluan shtatë plumba. Ai rezulton të jetë dhe pronar i një servisi.
Hetuesit dyshojnë për hakmarrje. Viktima mësohet se është djali i xhaxhait të Bertij Alliaj, që ishte përfshirë në një ngjarje në vitin 2015, në atë që njihet si “masakra e Çoles”, raporton për Klan News gazetarja Greta Haskaj.
Në atë kohë, pas një sherri në kazino, mbetën të vrarë Albi Limaj, Haki Rakipi, Ardi Velaj.
Njoftimi i policisë:
Vlorë/Informacion paraprak
Sot, në fshatin Gjorm, Vlorë, në rrethana ende të paqarta, është gjetur pa shenja jete nga familjarët e tij, shtetasi D. A., 36 vjeç, banues në Fier. Nga veprimet paraprake, gjatë këqyrjes së trupit, i janë konstatuar plagë të dyshuara të shkaktuara me armë zjarri.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Vrasja në Vlorë, autori dyshohet kushëriri
Policia, me anë të një tjetër njoftimi, informon se vrasësi i dyshuar i 35-vjeçarit është kushëriri i tij Bertil Alliaj. Ai u shpall në kërkim.
Njoftimi:
Vlorë/Informacion paraprak në vijim
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më herët, nga veprimet e para hetimore është bërë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit B. A., i cili dyshohet se në fshatin Gjorm ka vrarë me armë zjarri kushëririn e tij, shtetasin D. A.
Pas kryerjes së krimit, shtetasi B. A. është larguar drejt zonës malore përreth, ku dyshohet se fshihet.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë po vijojnë punën intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes./tvklan
