Kampioni ukrainas i kikboksit, Maksym Kagal, ka mbetur i vrarë, teksa luftonte me trupat ruse në Mariupol , tha trajneri i tij të dielën.
30 vjeçari, po luftonte me trupat ruse si pjesë e njësisë kontroverse të forcave speciale Azov për të mbrojtur qytetin e Mariupolit, i cili ka parë disa nga luftimet më të ashpra që nga pushtimi i Ukrainës më 24 shkurt.
Që nga shpërthimi i luftës, shumë civilë ukrainas janë bashkuar me forcat e armatosura për të mbrojtur vendin e tyre.
Duke njoftuar vdekjen e Kagal në një postim në Facebook, trajneri i tij Oleh Skyrta tha: “Fatkeqësisht, lufta merr më të mirën. Më 25 mars 2022, ndërsa mbronte qytetin e Mariupolit si pjesë e Njësisë së Forcave Speciale të Veçanta Azov, Maxim ‘Piston’ Kagal u vra”.
“Fli i qetë vëlla, toka është e jotja, do të hakmerremi”, tha trajneri i tij, Oleh Skyrta.
Kujtojmë se Kagal ishte kampioni i parë botëror i kikboksit në Iska (Shoqata Ndërkombëtare e Karatesë Sportive) në ekipin kombëtar të Ukrainës.
Ende nuk dihet se kur mund të përfundojë agresioni rus mbi tokat ukrainase, mirëpo është e sigurt se mijëra jetë kanë humbur nga të dyja kampet.