Është vrarë në kryeqytetin e Libanit, numri dy i Hamasit, Saleh al-Arouri.
Vrasja e tij rrit rrezikun e mundshëm të përhapjes së luftës në Gaza përtej enklavës palestineze.
57-vjeçari është lideri i parë i lartë politik i Hamasit që vritet që kur Izraeli nisi një ofensivë ajrore dhe tokësore kundër grupit militant pothuajse tre muaj më parë pas sulmeve të 7 Tetorit.
Që nga fillimi i luftës në Gaza mes grupit Hezbollah dhe forcave izraelite është shkëmbyer vazhdimisht zjarr.
Udhëheqësi i grupit të armatosur Hassan Nasrallah, ka paralajmëruar Tel Avivin kundër kryerjes së ndonjë atentati në tokën libaneze, duke u zotuar se do të kundërpërgjigjet në mënyrë të ashpër.
Pas vrasjes së Arourit, Hezbollah pranoi se kishte shënjestruar me raketa një grup ushtarësh izraelitë në afërsi të qytetit Marj.
Vrasja e numrit dy të Hamasit vjen para vizitës në rajon të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në kohën kur Shtetet e Bashkuara po tentojnë të parandalojnë përhapjen e konfliktit, duke paralajmëruar vazhdimisht Hezbollahun dhe Iranin që të mos e përshkallëzojnë konfliktin.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se do të vazhdojë me sulmet në Gaza derisa Hamasi të shkatërrohet dhe të lirohen mbi 100 pengje që ende mbahen nga grupi radikal palestinez.
Sipas TvKlan.al, Netanyahu dhe zyrtarët e tjerë izraelitë vazhdimisht kanë kërcënuar se do të vrasin udhëheqësit e Hamasit kudo që ata ndodhen.
Izraeli ka pretenduar se ka vrarë një numër të udhëheqësve të nivelit të mesëm të Hamasit në Gazë, por kjo është hera e parë që nëse merr përgjegjësinë për vrasjen e udhëheqësit të lartë të Hamasit kryen sulme në një shtet tjetër duke shënjestruar liderët e Hamasit.