Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fjalimin e sotëm drejtuar popullit do të shpjegojë se çfarë po ndodh në Kosovë, si dhe çfarë do të bëjë shteti lidhur me këto ngjarje, ka thënë kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq
“Në orën 18:00, presidenti do të shpjegojë saktësisht se çfarë po ndodh, shumë më saktë, në detaje, në mënyrë që të gjithë qytetarët e Republikës së Serbisë të kenë një pasqyrë të plotë, për të kuptuar se çfarë po ndodh me ne dhe pse dhe cili është qëllimi i kësaj. Ai sigurisht do të thotë se çfarë do të ndërmarrë vendi ynë në periudhën e ardhshme”, ka thënë Vuçeviq për RTS.
Ai ka shtuar se vendimet për aktivitetet e shtetit të Serbisë, të cilat Vuçiqi do t’i prezantojë sonte, janë qëndrim i përbashkët i presidentit të Serbisë dhe Qeverisë së Serbisë.
“Duke mbrojtur serbët në Kosovë, ne po mbrojmë të gjithë Serbinë në aspektin e paqes dhe stabilitetit dhe zhvillimit të mëtutjeshëm të vendit”, ka thënë kryeministri serb.
Vuçeviq ka thënë se “kryeministri i Kosovës Albin Kurti vazhdimisht po bën diçka të re për të provokuar serbët dhe për t’u treguar atyre se nuk mund të qëndrojnë dhe të mbijetojnë në Kosovë”.
“Jam pothuajse i sigurt se ai nuk do të ndalet me agjendën, planin dhe synimin e tij politik, veçanërisht duke pasur parasysh që “krahina” do të ketë zgjedhje në shkurt, kështu që ai nuk duhet të flasë për ekonominë, as për rritjen e pagave, as për pensionet, as GDP-në, as për autostrada, as për kampe shkencore-teknologjike, e as për Expo. Ai mund të flasë vetëm se si do të sillet me serbët, të cilët janë përcaktuar gjithmonë si epiqendra të grupeve të organizuara kriminale”.