Duke intensifikuar bashkëpunimin me Hungarinë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shpreh dëshirën për krijimin e një aleance apo pakti ushtarak.
Pas Vuçiqit, edhe presidenti i Republikës Sërpska (RS) të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, paralajmëroi se ky entitet i Bosnje dhe Hercegovinës do të kërkojë të përfshihet në një marrëveshje ushtarake dhe të sigurisë me Serbinë dhe Hungarinë.
Zyrtarët hungarezë nuk i kanë komentuar këto qëllime të Beogradit dhe Banjallukës, ndonëse Hungaria është tashmë anëtare e një aleance ushtarake, NATO-s.
“Këtu askush nuk i kushtoi vëmendje kësaj çështjeje, prandaj mund të përfundojmë se kjo është më tepër një çështje e zemrës për regjimin në Beograd, sesa për atë në Budapest”, vlerësoi për REL-in gazetari nga Budapesti, Gabor Bodis.
Në Beograd, ministrat e Mbrojtjes së Serbisë dhe Hungarisë, Bratislav Gashiq dhe Kristof Szalay-Bobrovniczky, më 1 prill nënshkruan Planin e bashkëpunimit ushtarak bilateral mes ministrive të tyre për vitin 2025.
Ky dokument konkretizon Marrëveshjen për bashkëpunim strategjik në fushën e mbrojtjes midis dy vendeve, të arritur në vitin 2023.
Pas nënshkrimit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se beson që marrëveshja për aktivitetet e përbashkëta do të vazhdojë me afrimin e mëtejshëm dhe krijimin e një aleance apo pakti ushtarak midis Serbisë dhe Hungarisë.
Vuçiq tha se ai dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, dëshirojnë të vazhdojnë përshpejtimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, “veçanërisht duke pasur parasysh gjithçka që po ndodh në Evropë dhe botë”.