Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, pas rundit të dytë të bisedimeve Kosovë-Serbi, deklaroi se presidenti serb Aleksandar Vuçiq mbetet ende në Bruksel.
Petkoviq tha se s’ka gjetje të kompromisit dhe për këtë u mundua që ta lë fajtore palën kosovare.
“Ne menduam se ishte e mundur të arrihet një kompromis. Askush nga delegacioni ynë nuk do të flasë sot,” u tha Petkoviq gazetarëve, duke deklaruar se delegacioni serb “luftoi për paqe, stabilitet dhe zgjidhje kompromisi”.
“Vuçiq do t’i drejtohet publikut nesër pas kthimit të tij në Beograd dhe kjo do të jetë një nga fjalimet e tij më të rëndësishme publike”, shtoi ai.
Siç raporton mediumi publik serb, Vuçiq do të qëndrojë edhe për një kohë në Bruksel.
Po ashtu, Vuçiq ka caktuar një takim nga Brukseli me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, i cili pritet të mbahet të dielën në ora 11:00 në Pallatin “Serbia”, siç raportuan mediat serbe.