Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik pas vendimit për të falur katër persona të afërt me Partinë Progresive Serbe (SNS), të dënuar për dhunë ndaj studentëve gjatë protestave në Novi Sad, në janar të këtij viti.
Vendimi për falje erdhi më 2 korrik dhe përfshin individë të cilët ishin dënuar për sulm ndaj demonstruesve paqësorë, duke përfshirë edhe një vajzë që kishte pësuar thyerje të nofullës.
Ky akt kishte shkaktuar përmbysje të mëdha politike në Serbi, përfshirë dorëheqjen e kryeministres së atëhershme Ana Bërnabiq.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social Instagram, Vuçiq mohoi ekzistencën e “fraksioneve të dhunshme” brenda SNS, duke i quajtur këto raportime “shpifje të mediave opozitare” dhe duke theksuar se bëhet fjalë për “njerëz të ndershëm dhe besnikë ndaj Serbisë”.
“Janë të armatosur vetëm me dashurinë për vendin dhe lapsin me letër”. shkroi Vuçiq, duke i përshkruar të përfshirët si pjesë e asaj që ai e quajti “17 mijë besnikë të devotshëm”.
Ky mesazh është interpretuar gjerësisht si sinjal për bazën e tij politike në prag të asaj që analistët po e quajnë një “përplasje përfundimtare” në skenën politike serbe, shkruan nova.rs.
Lideri i lëvizjes “Serbia Centar” (SRCE), Zdravko Ponosh, tha se Vuçiq “po stigmatizon studentët dhe po mobilizon radikalët e partisë së tij”.
Vendimi i Vuçiqit për të amnistuar dhunuesit është parë si një precedent i rrezikshëm për sundimin e ligjit në Serbi, veçanërisht në kontekstin e polarizimit politik dhe tensioneve të brendshme që po rriten përpara zgjedhjeve të mundshme të parakohshme.
Organizatat për të drejtat e njeriut kanë dënuar aktin si “legjitimim të dhunës politike” dhe kanë kërkuar hetim ndërkombëtar për ngjarjet në Novi Sad.