Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një takimi me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen u ankua se “Prishtina ka për qëllim ta përshkallëzojë situatën”, transmeton Gazeta Enigma.
Vuçiqi tha se me Sorensenin ka zhvilluar një bisedë të hapur lidhur me rrjedhën aktuale të dialogut dhe vazhdimin e tij me përfshirje më aktive të BE-së.
Ai theksoi se ka ngritur shqetësimin për, siç u shpreh, pozitën e serbëve në Kosovë dhe ka paralajmëruar për atë që e quajti synim të Prishtinës për të zbatuar nga 15 marsi “vendime të reja përshkallëzuese dhe thellësisht diskriminuese”, të cilat sipas tij rrezikojnë mbijetesën e popullit serb, duke aluduar te hyrja në fuqi e Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjete.
“Nëse hyn në fuqi nga 15 marsi, siç është paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës, Ligji për të Huajt parasheh që shtetasit e huaj që qëndrojnë më gjatë në Kosovë janë të obliguar të aplikojnë për leje qëndrimi brenda 72 orësh që nga hyrja. E Ligji për Automjete thotë se personat që mbajnë vetura me targa të huaja në Kosovë do të gjobiten nëse e tejkalojnë kufirin ligjor tremujor të qëndrimit në vend”.
Vuçiqi u ka kërkuar ndërkombëtarëve që t’i marrin seriozisht këto çështje dhe të bëjnë gjithçka për të siguruar respektimin e të drejtave të serbëve. Ai gjithashtu ka kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në aleancën ushtarake rajonale me Shqipërinë e Kroacinë, duke vlerësuar se një hap i tillë do të rriste tensionet dhe do të kërcënonte sigurinë.
Presidenti serb ka theksuar nevojën për ndërmarrjen e hapave konkretë drejt formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke thënë se serbët në Kosovë kanë 13 vjet që presin zbatimin e këtij obligimi.
Para dy ditësh, Sorenseni qëndroi në Prishtinë ku pati takim me kryeministrin Albin Kurti.
