Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq i është përgjigjur emisarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar i cili ka deklaruar se “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të jetë konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
“Po bëni shaka”, ka thënë ndër tjerash Vuçiq, raporton RTS.
“Gjithçka që ata thanë ishte se do të impononin vullnetin e tyre. Atyre nuk u intereson çfarë ka për të thënë Beogradi, kështu që unë as nuk e di se për çfarë është dialogu. Ata që thanë se duhet diskutuar për Asociacionin, si dhe se duhet të jetë në përputhje me kushtetutën e Kosovës, më lejoni t’i pyes, a po bëjnë shaka? Çfarë kemi negociuar atëherë”, ka pyetur Vuçiq.
Kjo deklaratë vjen një javë para takimit në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Për atë takim, Vuçiq është shprehur skeptik, pasi thotë se “askujt s’po i intereson qëndrimi i Beogradit”.
Sipas tij “perëndimi po ka standarde të dyfishta për sa i përket Kosovës”, duke e krahasuar me rastin e Ukrainës.
Ka thënë gjithashtu se në shtator vazhdon punimet Kuvendi i Serbisë e aty do të flitet edhe për Kosovën.
“Besoj se në shtator do të shkojmë në Kuvend për të analizuar situatën me Kosovën, ky është obligimi ynë. Njerëzit të dëgjojnë se cili është obligimi ynë dhe shpresoj se do të triumfojë arsyeja”, ka deklaruar Vuçiq.
Pos dialogut me Kosovën, ai ka propaganduar për Kosovën – duke thënë se “Prishtina po përgatit vrasjen e serbëve”.