Vuçiq i lë afër kufirit me Kosovën ministrin dhe shefin e ushtrisë

Vuçiq i lë afër kufirit me Kosovën ministrin dhe shefin e ushtrisë

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, thotë se ka vizituar sërish sot ushtarët dhe policët serbë që po qëndrojnë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Sot, vizitova pjesë të njësive të ushtrisë serbe dhe të policisë  që kryejnë detyra përgjatë vijës administrative”, ka shkruar Vuçeviq.

Ai thotë se ushtarët dhe policët e kanë bindur për “gatishmërinë” që kanë treguar për të kryer detyrat e tyre.

“Me këtë rast, u binda për moralin e lartë dhe gatishmërinë e pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe të policisë për t’i kryer të gjitha detyrat e caktuara me shpejtësi dhe vendosmëri”, thotë ai.

Vuçeviq ka thënë të hënën se numri i pjesëtarëve të njësive speciale të Forcave të Armatosura Serbe do të rritet nga 1.500 në 5.000 deri në fund të vitit 2023. Një vendim i tillë erdhi, tha ai, “me urdhër” të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në deklaratën e publikuar nga Ministria e Mbrojtjes, Vuçeviq nuk ka dhënë arsye konkrete për këtë vendim, përveç se tha që Forcat e Armatosura Serbe do të jenë “grushti më i fortë që do të copëtojë dëshirat dhe qëllimet e këqija” të atyre që “dëshirojnë ta dëmtojnë popullin tonë”.

“Dua ta informoj opinionin e Serbisë dhe jo vetëm të Serbisë, se mbrëmë gjeneral [Milan] Mojsiloviq, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, dhe unë morëm një detyrë, një urdhër nga Presidenti i Republikës si Komandant i Përgjithshëm [Aleksandar Vuçiq], për të rritur numrin e pjesëtarëve të njësive speciale në Ushtrinë Serbe deri në fund të vitit 2023”, tha Vuçeviq.

Related Articles