Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën në një adresim publik se do t’i dërgojë një kërkesë Qeverisë serbe “për ristrukturimin më urgjent dhe më masiv të mundshëm”.
“Sepse në këto kohë të vështira politike, është bërë e qartë se kush është i gatshëm të punojë dhe të luftojë, kush jo, dhe duke pasur këtë parasysh, pres që më shumë se 50 për qind e ministrave të shkarkohen dhe zëvendësohen në një ristrukturim shumë, shumë urgjent”, ka thënë Vuçiq më 27 janar.
Ai ka thënë se në tre muajt e fundit, pas aksidentit në stacionin hekurudhor në Novi Sad – në të cilin kanë vdekur 15 persona – është krijuar një atmosferë që nuk është në të mirë të askujt.
“Në këta tre muaj, ne kemi dëgjuar shumë akuza kundër trupave shtetërore, thirrje për përmbysje të shtetit, kemi dëgjuar deklarata shumë të papërgjegjshme, jo vetëm nga opozita, por edhe nga ne në pushtet”, ka thënë ai.
Presidenti serb ka thënë se ka biseduar me përfaqësues qeveritarë dhe që ata “kanë deklaruar se kanë dëshirë të dëgjojnë palën tjetër” [studentët që po protestojnë] dhe që dëshirojnë dialog dhe bisedë.