Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi se Maqedonia e Veriut duhet ta marrë parasysh dhe mos ta refuzojë propozimin francez, për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, para se të mendojë me kujdes për interesat kombëtare.
Në një intervistë për Sitel, Vuçiç u shpreh se RMV-ja duhet të jetë pjesë e familjes europiane, shkruan RTS.
“Cila është alternativa për ju? Ata do t’u kërkojnë bullgarëve diçka, do t’u kërkojnë të tjerëve diçka tjetër. Gjithmonë do të ketë diçka. Por shtyjeni vendin tuaj përpara. Është mirë të jesh në rrugën evropiane, është mirë të hapësh mundësi për tërheqjen e investimeve. Kjo është e rëndësishme, kjo është mirë”, tha ai.
Sipas Vuçiç, edhe pse ka pengesa në rrugën evropiane, ato duhet të zgjidhen dhe të eleminohen një nga një.
Teksa Maqedonia e Veriut është përfshirë nga protesta të qytetarëve që kundërshtojnë propozimin francez, partitë politike në vend kanë mbledhur grupet e punës për të shqyrtuar këtë propozim.