Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se pas vizitës së fundit në Paris ka marrë informacione se ish-presidenti i Kosovës dhe ish-udhëheqësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, mund të dënohet rëndë nga Gjykata Speciale në Hagë.
Kjo deklaratë e Vuçiqit vjen rreth dy javë pasi ai kishte thënë se vendimi ndaj Thaçit pritej të ishte kryesisht shfajësues. Megjithatë, pas vizitës në kryeqytetin francez, presidenti serb pretendon se ka marrë sinjale të tjera lidhur me verdiktin e mundshëm.
Duke folur për procesin gjyqësor ndaj Thaçit, i cili së bashku me ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Vuçiq ka thënë se nuk e di se cili do të jetë vendimi përfundimtar.
“Para 15 ditësh mora informacion se ai do të dënohej me një masë që mbulon kohën e paraburgimit; këtë e mora nga shërbimet tona. Tani, kur isha në Paris dhe bisedoja me disa liderë evropianë e botërorë, mora disa sinjale të ndryshme. Pas katër ditësh do të shohim se kush ka të drejtë”, ka thënë Vuçiq, transmeton Danas.
Vendimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit pritet të shpallet më 16 shtator.
