Vuçiq në Bruksel takohet me krerët e BE-së

Vuçiq në Bruksel takohet me krerët e BE-së

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, si dhe presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, në Bruksel.

Për takimin me udhëheqësin e serbëve, von der Leyen në një postim në X tha se i kanë theksuar atij nevojën që Serbia të përshtasë politikën e saj të jashtme e sigurisë me atë të bllokut europian, si dhe tha se kanë mirëpritur hapat që ka ndërmarrë Serbia në drejtim të diversikimit të burimeve të energjisë për të zvogëluar varësinë nga Rusia.

“Mirë të takohemi së bashku me Aleksandar Vuçiq për të bërë një vlerësim të progresit të Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së. Diskutuam rëndësinë e përshpejtimit të reformave, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit dhe lirisë së mediave. Theksuam se zgjerimi është një domosdoshmëri gjeostrategjike dhe nevojën që Serbia të harmonizohet më tej me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Ne gjithashtu mirëpritëm hapat e Serbisë për të diversifikuar burimet dhe rrugët e energjisë dhe për të ulur varësinë nga Rusia, jo-besueshmëria e së cilës është dëshmuar në mënyrë të përsëritur”, ka shkruar von der Leyen.

Kjo deklaratë e shefes së BE-së vjen pas zhvillimeve me Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS), e cila ishte sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për shkak të pronësisë së saj ruse.

Në mungesë të një licence, ajo ka pezulluar punën në fillim të këtij muaji derisa NIS pret një përgjigje nga autoritetet amerikane për kërkesën e saj për ta lejuar atë të veprojë derisa po i vazhdon bisedimet për t’i shitur aksionet e veta ruse.

Von der Leyen tha se BE ka treguar vazhdimisht solidaritet me Serbinë përmes investimeve të mëdha në infrastrukturën energjetike dhe mbështetjes për familjet më të ndjeshme.

Ajo tha se bashkë me Costan gjatë vizitave që patën në fillim të këtij viti e kanë potencuar se mbesin “plotësisht të përkushtuar për të parë një Serbi demokratike në BE”.

“Mund të llogarisni në mbështetjen tonë”, tha ajo në fund. 

Related Articles