Pas deklaratës pompoze të Vuçiqit se do ta bojkotojë samitin e BE dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë për shkak të reagimin, siç tha ai, “të turpshëm” të BE-së për emërimin e Rashiqit ministër në Qeverinë e Kosovës, pasoi vizita e komisarit evropian për politikë fqinjësore Oliver Varhelyi në Beograd.
Pas takimit me të, presidenti serb Aleksandar Vuçiq i ka ndërruar fjalët dhe ka deklaruar se “megjithatë do ta shikojë mundësinë për pjesëmarrje në këtë samit”, transmeton Paparaci.
“Më lejoni t’u them të gjithëve – nuk jam as i çmendur, as i dehur, as budalla”. Sepse krejt çfarë pi, pi çaj kamomili. Mirëpo, i tregova Varhelyi-t gjithçka çfarë kishte ndodhur që nga fillimi i vitit dhe se si çdo lloj mundësie për një bisedë normale me Prishtinën gradualisht po shembet. Nuk u pendova për asnjë fjalë. Gjithçka që thashë për Kurtin, Rashiqin dhe Trajkoviqin – edhe mendoj. Gjithçka që thashë dje, e nënshkruaj sot. A duhet të kisha përdorur një fjalor më burokratik, diplomatik? Ndoshta. Por ju lutem a do të kishte folur dikush ndryshe”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka thënë se në Serbi në janar është mbajtur referendum, por Prishtina nuk ka lejuar që të mbahet në territorin e Kosovës.
“Pastaj kemi një situatë në prag të konfliktit. Pse kemi çdo javë nga një krizë. Më pas e shpikën një tregim për letërnjoftimet, pastaj targat… Pastaj thanë se nuk do të formojnë Asociacionin e Komunave Serbe, dhe pastaj e suspenduan Nenad Gjuriqin… Çfarë ka më pas. Për nëntë muaj na sulmojnë se ne do të sulmojmë dikë në rajon dhe nëntë muaj po gënjejnë”, tha ai.
Vuçiq tha se në fund të fundit nuk ka kuptim që përfaqësuesi i Serbisë të shkojë në Tiranë për Samitin e BE-së, por se nuk e ka problem ta shqyrtojë edhe një herë këtë vendim
“Ana (Bërnabiq) më tha mbrëmë se njerëzit nga Bashkimi Evropian mendojnë se është shumë e rëndësishme që Serbia të përfaqësohet në Tiranë në Samit. Jam gati të dëgjoj, i thashë Varhelyi-t se nuk është fjala për deklaratën dhe mendjemadhësinë time. Nuk është problem për mua të anuloj vendimin tim, nëse shoh se ka ndonjë mundësi dhe ndonjë kuptim për të thënë diçka. Qëndrimi i Anës (Ana Bërnabić, kryeministre e Serbisë) dhe i Oliverit (Varhelyi) është se ne duhet të jemi pjesë e tij. Do të marrim një vendim në ditët në vijim”, ka thënë ai.
Të përkujtojmë, hiç më larg se mbrëmë, Vuçiq ka deklaruar se “Askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë më 6 dhjetor, ndërsa ju shkoni, merrni mëditje, udhëtoni si të keni qejf, të gjithë ju nga Evropa, të gjithë ju nga Ballkani Perëndimor, dhe pastaj “lëshoni bajga” se si Serbia është fajtore për diçka”.