Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili po merr pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor, tha se nga takimi në Bruksel, ai nuk pret asgjë.
Ai tha se nuk u trembet presioneve dhe sipas tij, shantazheve dhe se ato kohë kanë kaluar.
“Iku koha kur shtetet e lira dhe të pavarura mund të shantazhoheshin dhe u bëhej presion. Ne jemi këtu besoj me miqtë për të ardhmen evropiane të Serbisë dhe të rajonit. Ne do të jemi këtu me miqtë tanë edhe nga rajoni që të luftojmë për atë të ardhme evropiane, por duke e respektuar veten dhe duke e besuar këtë së bashku ne mund të bëjmë shumë”, tha Vuçiq.
“Se ne jemi të frikësuar, këto janë histori për fëmijë dhe ato kohë kanë ikur”, tha Vuçiq.
I pyetur nëse mendon se Maqedonia e Veriut është e frikësuar, presidenti serb deklaroi se për Serbinë, ai shtet është miqësor e vëllazëror.
“Gjithçka që ndihet në Shkup dhe Maqedoninë e Veriut, është sikur ne e ndjejmë në Serbi. As ne nuk presim asgjë. Ne po kërkojmë, thjesht duam të zhvillojmë me shpejtësi marrëdhëniet tona miqësore dhe vëllazërore dhe besoj se do të të jemi së bashku në rrugën evropiane dhe në të gjitha rrugët e tjera”, u tha Vuçiq gazetarëve në Bruksel.
Ai deklaroi se nuk priste ndonjë gjë të veçantë nga samiti BE-Perëndim, por shtoi se i janë mirënjohës Bashkimit Evropian për mbështetjen, ndihmën dhe investimet.
“Kjo është ajo që është e rëndësishme për ne.”
I pyetur nga gazetarët nëse pret kritika për mos vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, Vuçiq u përgjigj: “Pres ose nuk pres, unë do të flas”.
Sa i përket deklaratës se Serbia është ulur në të gjitha karriget, Vuçiq është përgjigjur negativisht. Ai tha se Serbia është ulur në karrigen e vet, dhe se askush nuk mund ta udhëheqë politikën e Serbisë, por qytetarët përmes lidershipit të tyre.
Sa i përket deklaratës së kancelarit gjerman Olaf Scholz gjatë vizitës së tij në Kosovë dhe Serbi në fillim të qershorit, se pret që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, Vuçiq tha se i ka përcjellë mesazhin kancelarit Scholz që të mos presë se ajo (Serbia) do ta bëjë këtë.