Vuçiq për CNN: S’kemi hyrë në Kosovë me asnjë ushtar, Kurti s’e zbatoi asnjë marrëveshje

Vuçiq për CNN: S’kemi hyrë në Kosovë me asnjë ushtar, Kurti s’e zbatoi asnjë marrëveshje

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke folur për televizionin amerikan CNN, ka thënë se pala serbe i ka zbatuar të gjitha obligimet ndërkombëtare nga Marrëveshja e Brukselit dhe se pala kosovare nuk e ka përmbushur atë që ka pasur – formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Vuçiq ka theksuar se që nga ardhja në pushtet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka pasur 353 sulme me motive etnike ndaj serbëve, duke shtuar se ky është numri më i madh i incidenteve të tilla që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

– Vetëm këtë vit ka pasur pesë të shtëna kundër civilëve të kombësisë serbe. Serbët duan vetëm siguri dhe siguri për veten dhe familjet e tyre, tha Vuçiq, transmeton Demokracia.com.

Ai mohoi akuzat e Albin Kurtit se i ka shantazhuar serbët që të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, duke e pyetur prezantuesen nëse ka parë ndonjëherë zgjedhje legjitime demokratike në të cilat kanë dalë pak më shumë se 3 për qind e votuesve.

Vuçiq ka theksuar se Serbia është shumë e kënaqur me deklaratat e sekretarit amerikan të shtetit Anthony Blinken dhe presidentit francez Emmanuel Macron lidhur me krizën në Kosovë.

Ai shtoi se Serbia nuk ka shkelur asnjë marrëveshje ndërkombëtare në reagimin e saj ndaj krizës.

– Ne kemi respektuar edhe Marrëveshjen e Paqes të Kumanovës edhe Rezolutën 1244 të OKB-së. Ne nuk kemi hyrë në Kosovë me asnjë ushtar. Deri më tani kemi pasur bashkëpunim të mirë dhe profesional me trupat e NATO-s në Kosovë dhe jam i bindur se një bashkëpunim i tillë do të vazhdojë”, tha Vuçiq.

I pyetur se çfarë ka për t’u thënë qytetarëve protestues në veri të Kosovës, presidenti i Serbisë tha se është thelbësore të ruhet paqja dhe stabiliteti.

– E di që ata janë të vendosur të mbrojnë vatrat e tyre dhe i kërkoj që të luftojnë në mënyrë paqësore dhe të ruajnë paqen dhe stabilitetin. Duhet të flasim me shqiptarët që të zbatohen të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare. Por gjithashtu do të kërkoja nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare që të ndërmarrin veprime vendimtare kundër atyre, veprimet e të cilëve kërcënojnë paqen dhe stabilitetin e të gjithëve ne, tha Vuçiq.

Related Articles