Vuçiq për takimin me Lajçakun: Ka shumë ide, por Prishtina s’do zgjidhje

Vuçiq për takimin me Lajçakun: Ka shumë ide, por Prishtina s’do zgjidhje

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “ka shumë ide, vetëm zgjidhjet po mbarojnë”, kur u pyet se a ka ndonjë ide të re për situatën në Kosovë, në takimin me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçakun, transmeton agjencia serbe e lajmeve, Beta.

Presidenti serb u takua me Lajçakun një ditë më parë, më 30 gusht.

“Mund të ishim ulur dhjetë orë. Kam frikë se do të ishte e vështirë të gjesh një zgjidhje kur flet me njerëz që nuk kërkojnë zgjidhje, kur flet me njerëz nga Prishtina që kërkojnë arsye për konflikte dhe sulme ndaj popullatës serbe në veri të Kosovës”, tha ai.

Vuçiq theksoi se këto gjëra “nuk i thotë rastësisht”, sepse tha se dëshira e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, është që t’i “dëbojë” serbët nga atje.

“…Mos ta përmendi sa mijëra kilometra jemi larg nga formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Prishtinës nuk i shkon mendja që kjo të ndodhë”, tha Vuçiq.

Lajçak ka njoftuar në profilin e tij në rrjetin social X, të njohur më parë si Twitter, se më 30 gusht kishte diskutuar me Vuçiqin për “takimin e radhës të nivelit të lartë në shtator, përpjekjet për uljen e tensioneve dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, si dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara gjatë dialogut”.

Ky takim u zhvillua pasi Lajçaku më 28 gusht njoftoi se kishte një “takim të rëndësishëm” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, në margjinat e Forumit Strategjik të Bledit, në kuadër të përgatitjeve për takimin e radhës të nivelit të lartë, i cili planifikohet të mbahet në shtator.

Related Articles