Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 6 korrik se do të kërkojë një bisedë me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe pas kësaj, një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për shkak të situatës në Kosovë.
Ai tha se do të kërkojë që Këshilli i Sigurimit të urdhërojë KFOR-in që, bazuar në detyrimet e Rezolutës 12 44, të parandalojë çdo veprim të mëtejshëm nga strukturat e sigurisë së Kosovës, që “kërcënon jetën, lirinë, sigurinë dhe mbijetesën e serbëve në Kosovë”, për të kryer “çmilitarizimin e të gjitha formacioneve të armatosura”.
Vuçiq tha se Serbia bëri gjithçka që mundi për të shtensionuar situatën në Kosovë, por se në Kosovë po kryhet një “aksion i pogromit, persekutimit dhe spastrimit etnik” të serbëve, i cili është “mirë i organizuar dhe i mbështetur nga një pjesë e komunitetit ndërkombëtar”.
Sipas tij, në Kosovë po bëhet “kriminalizimi i popullit serb”.
Vuçiq tha, po ashtu, se Serbia do ta shqyrtojë kërkesën e Listës Serbe, partisë lidere të serbëve në veri të Kosovës, për shpalljen e njësive speciale të Policisë së Kosovës organizatë terroriste.
“Ne do të marrim vendime në mënyrë të përgjegjshme dhe në 14 ditët e ardhshme do t’i informojmë partnerët tanë ndërkombëtarë”, deklaroi Vuçiq.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 5 korrik hodhi poshtë pretendimet se nuk po arrihet shtensionimi i situatës dhe normalizimi i raporteve me Serbinë, pasi nuk ka një marrëveshje. Ai tha se Marrëveshja drejt normalizimit, që palët e kanë nënshkruar në shkurt në Bruksel, si dhe Aneksi i saj në Ohër një muaj më pas, ekziston dhe se ajo duhet të zbatohet në tërësi.
Që nga fundi i majit, serbët po protestojnë në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, duke kundërshtuar që kryetarët e rinj shqiptarë të punojnë nga ndërtesat komunale. Banorët lokalë serbë, po ashtu, po kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave.
Në zgjedhjet lokale të 23 prillit nuk morën pjesë partitë serbe dhe votimet u bojkotuan nga popullata serbe.
Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Serbisë që të sigurojë pjesëmarrjen e serbëve, pa kushte, në zgjedhjet e reja të mundshme në veri.
Në të kaluarën, Beogradi ka luajtur rol kyç në pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e organizuara në Kosovë.
Kurti tha se organizimi i zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës, është mënyra e vetme për ndërrimin e pushtetit lokal në këto komuna të banuara me shumicë serbe.
Kryeministri i Kosovës ka thënë se është dakord për mbajtjen e zgjedhjeve, por shtoi se duhet të bëhen përgatitje që të ketë një fushatë fer e të hapur “në mënyrë që të mos ketë kërcënime dhe në fund bojkot sërish, e dalje të ulët”.