Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se ka ardhur në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë për të mbrojtur pozicionin e Serbisë.
“Unë erdha sepse nëse nuk je në tryezë, atëherë je në meny. Dhe pastaj të gjithë mezi presin, kjo është një mundësi më e mirë për të mbrojtur interesat e Serbisë”, është përpjekur Vuçiq që para gazetarëve të arsyetohet pasi i “hëngri fjalët” menjëherë pasi e vizitoi Lajçaku dje në Beograd.
Ai gjithashtu ka pretenduar se “Serbia mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut, si dhe procesit të negociatave”.
“Unë jam realist, jam këtu për të mësuar shumë nga njerëzit e BE-së, për t’i dëgjuar, por edhe për të shpjeguar qëndrimin e Serbisë”, ka thënë Vuçiq.
I pyetur nga gazetarët e huaj për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, Vuçiq tha se Serbia është shtet i pavarur, dhe i di punët e saj.
“Serbia është e pavarur, dikush e ka më të lehtë të na kritikojë dhe të thotë se jemi shumë afër Rusisë sepse nuk ka asgjë tjetër për çfarë të na sulmojë”, ka thënë Vuçiq.